Dy dekada më parë bota e futbollit u mrekullua nga një portier jashtëklase si Rene Higita. Kolumbiani gjeti arenën e madhe të “Uemblit” për të bërë një nga pritjet më të veçanta në 1995, përballë Anglisë. Higita vuri duart në tokë, ngriti këmbët të ngjitura dhe me to goditi topin duke e larguar. Ajo u quajt “pritja me goditjen e akrepit”. Henrik Mkitarian ndoshta nuk e pati aspak në mendje portierin “e çmendur” kolumbian, kur mbrëmë shënoi golin më të veçantë të jetës së tij, dhe një nga më të veçantët që janë parë ndonjëherë. Armeni, ashtu si Higita, ngriti këmbët e bashkuara nga prapa, uli kurrizin dhe goditi topin duke e dërguar në rrjetën e portës së Sandërlendit. Zhoze Murinjo, njeriu që ishte gati ta largonte nga “Old Trafordi” si “pako postale”, u ngrit në këmbë duke duartrokitur dhe pas ndeshjesh e mbuloi me lavdërime “golin fenomenal të Mkitarianit”.
Sfidanti.al