Përdori një fjalë më të rëndë Zhoze Murinjo për të hedhur poshtë zërat sipas të cilëve ai nuk është aq i lumtur në Mançester, sa ishte në Londër. Në anglisht është “bullshit”, ne le të themi “gjepura” apo “budallallëqe”. Përgjigja është e njëjta gjë. “Unë nuk shkoj në qytete të ndryshëm për t’u kënaqur me qytetet, – u shpreh trajneri i Junajtidit, – unë shkoj atje për të punuar”.
Ekziston mundësia që portugezi të ketë folur në konfidencë me ndonjë mik apo njeri të afërt për faktin se Londra ofron jetë më interesante sesa Mançesteri, pasi jo më kot është metropoli kryesor në Angli, dhe një nga më të mëdhenjtë në botës. Këto fjalë mund të kenë shkuar deri në veshët e gazetarëve që i kanë botuar, por “Mou” është aq i zgjuar sa të dijë të bëjë politikë. Ai nuk mund ta thotë se ka qenë më i lumtur nga jeta në kryeqytet. Jo më kot, kur u pyet për përballjen Çelsi-Junajtid, ai u përgjigj pa ngurrim: “Çelsi ishte e kaluara, unë tani jam 100 për qind i Mançester Junajtid, dhe 0 për qind i Çelsit”. Tifozët e “djajve të kuq” duhet të kenë mbetur të kënaqur.