“Futbolli i Kombit” dhe emra shenjtorësh në këtë kohë dhune…

Sido që të jetë e vërteta e këtyre përpjekjeve titane për ta përvetësuar futbollin, kjo gjithsesi nuk ka të bëjë me një garë sportive, por është thjeshtë një shëmti që nuk mund të ndodh askund tjetër, përveçse në ndonjë vend të izoluar të botës së tretë. Gjykatat civile janë hedhur në fushë dhe pasi bllokuan Asamblenë e shoqatave të Tiranës, tashmë vendosën për bllokimin në tërësi të Asamblesë Zgjedhore të FSHF-së, ndërsa nga institucioni ku po mbajnë me thonj karriket vazhdojnë të shpërndajnë materiale zgjedhore, duke injoruar autoritetin e gjykatave, si dhe për të treguar edhe një herë me zë të lartë, se federata është një shtet i pavarur që funksionon brenda një shteti tjetër. Veçse ky që po ndodh është një karshillëk i neveritshëm, një luftë personale, e cila ka përdhosur një nga parimet themelore të futbollit, garën e ndershme (fair play).
Para pak ditësh thirrën në Tiranë presidentin e UEFA-s, Ceferinin, të cilin e mbajtën vetëm për vete, sa më larg publikut që të ishte e mundur dhe në fund lanë vetëm një ose dy gazetarë të oborrit ta shihnin nga afër, ndërsa për të tjerët servirën aq sa duhet të dinë. Më pas erdhën tre vëzhgues nga ndërtesa e Ceferinit, të cilët u hutuan nga broçkullat me të cilat iu mbushën kokën dhe premtuan se sapo të kthehen do të hartojnë një raport në tre kopje, një prej të cilave do ta çojnë në kat të tretë te Ceferini dhe dy të tjerat do t’ia dërgojnë me postë të shpejtë Dukës dhe Edi Ramës. Dhe kjo është vërtetë e pabesueshme, që në garën për një godinë futbolli, të trajtohen si të barabartë dy personazhe me funksione krejt të ndryshme.
Ndërsa në fund, por kuptohet vetëm për momentin, u organizua një takim gati-gati qesharak, që për t’i dhënë efektë pompoze e kishin titulluar “Futbolli për Kombin”. Dhe pikërisht në këtë situatë aspak të zakontë kishin zgjedhur të përgojonin sërish fëmijët tanë, të cilët pasi i kanë lënë pothuajse fare pa ambjente ku të luajnë dhe u rëmojnë çdo ditë dhunshëm në xhepat e prindërve, tashmë u betohen publikisht se janë të gatshëm të sakrifikohen, vetëm që atyre të mos u mungojë asgjë. Pikërisht nëpërmjet këtij takimi, ku ishin thirrur edhe presidentët shqiptar të futbollit të rajonit, u lajmërua edhe organizimi i një kupe që do të quhej “Nënë Tereza”. Në këtë rast kemi të bëjmë me një ironi therëse që e kalon çdo parim… ekzaktësisht në këtë kohë të mbushur me arrogancë të skajshme, paskan menduar të bëjnë diçka që ka lidhje me futbollin e luajtur dhe ta pagëzojnë me emër shenjtoreje.