Java e 34-t e Albi Mall Superligës së Kosovës ka sjellë zhvillime të rëndësishme si në garën për Evropë, ashtu edhe në luftën për mbijetesë, derisa Malisheva siguroi matematikisht pjesëmarrjen në garat evropiane, Prishtina e Re dhe Ferizaj përfundimisht kanë humbur shpresat për mbetje në elitë dhe edicionin e ardhshëm do të garojnë në Ligën e Parë.
Në stadiumin “18 Qershori” në Klinë, Dukagjini shënoi fitore ndaj kampiones së këtij edicioni, Dritës, me rezultat 2:0. Skuadra klinase kaloi në epërsi me golin e Besir Isenit në minutën e 19-të, ndërsa Altin Merlaku realizoi golin e dytë në minutën e 41-të. Dukagjinit iu anulua edhe një gol për pozitë jashtë loje në pjesën e parë. Me këtë fitore, Dukagjini mbetet në pozitën e pestë me 45 pikë, aq sa ka edhe Gjilani në vendin e gjashtë.
Një ndeshje dramatike u zhvillua në Kampin Nacional në Hajvali, ku Prishtina dhe Ferizaj barazuan 3:3. Ky rezultat bëri që Ferizaj përfundimisht të humbë shpresat për mbetje në elitë. Prishtina kaloi e para në epërsi me Albin Krasniqin, ndërsa Ferizaj reagoi përmes Ruben Silva-Richards nga penalltia. Sulmuesi i talentuar Rin Ahmeti realizoi dy gola për prishtinasit, përfshirë edhe atë të barazimit në minutat shtesë, duke ia mohuar Ferizajt fitoren. Për vendasit realizuan edhe Betim Haxhimusa dhe Ade Ogunsi.
sfidanti.al

