Pas medaljeve ruse per gjimnastikën, Shqipëria merr medalje ruse edhe në mundje!

Askush nuk e pati problem që ia dolëm me një rus. Shqipëria e nisi rrugën e natyralizimeve në sport me gjimnastin e shkëlqyer Matvei Petrov që u shpall kampion i Europës për ngjyrat kuqezi, dhe po e vazhdon në mundje. Edhe në këtë sport, kemi marrë dy sportistë nga Rusia, të cilët na nderuan në turneun e fortë “Dan Kolov-Nikola Petrov” në Bullgari. Zelimhan Abakarov, mundësi me origjinë nga Çeçenia, pati një rrugë triumfale me 5 fitore radhazi, duke arritur finalen e duke fituar medaljen e artë. Abakarov, në stilin e lirë në peshën deri 61 kg, kaloi njërin pas tjetrit rivalë si amerikanin Rodrigez, indianët Ravinder e Viki, ndërsa në gjysmëfinale kaloi një rival nga Bjellorusia. Abakarovi mundi në finale indianin Ravi Kumar Dahija, që ishte medalist në Lojrat e fundit Olimpike Verore në Tokio vitin e kaluar. Sukses edhe për mundësin tjetër kuqezi, Islam Dudaev në peshën deri në 65 kg, që arriti gjithashtu në finale, dhe që po ashtu është me nënshtetësi ruse dhe me origjinë nga Çeçenia. Sekretari i Federatës Shqiptare të Mundjes, Sahit Prizreni, informon se kjo paraqitje bën që kombëtarja të ketë shpresë për sukses në Kampionatin Europian që zhvillohet në mars në Hungari.

Sfidanti.al