Pioli sikur e ndjente gafën e radhës të Milanit të tij “kameleon”!

“Mund të fitojmë çdo ndeshje nëse do ta mbajmë gjithmonë lart përqëndrimin”. Stefano Pioli e dinte se cili ishte “armiku” kryesor i Milanit të tij, dhe ishte pikërisht vetvetja më shumë sesa kundërshtari. Pas rezultateve pozitive ndaj ekipeve të forta si Inter, Juventusi, Atalanta, Roma apo Lacio, ja ku erdhi “gracka” (siç shkruajti “La Gazeta delo Sport”) në fushën e Salernitanës. Ekipi i Italisë Jugore, shumë pranë falimentimit për shumë muaj, realizoi mrekullinë e sezonit duke i marrë kryesuesve të Serisë A barazimin 2-2. Nuk mund të thuhet se prishën punë mungesat, edhe pse Ibra nuk ishte, ashtu si Kjer. Formacioni i Milanit ishte i fortë, por loja e dobët. “I shëmtuar” ishte epiteti që mori ekipi kuqezi për atë që bëri. Për vendasit, Frederik Veseli ishte në stol, ndërsa golat u shënuan nga Bonacoli dhe Gjuriç, me dy avantazhe të Salernitanës. Zhunior Mesias dhe Rebiç barazuan për milanistët që kanë 2 pikë më shumë se Interi, por dy ndeshje më shumë të luajtura. “Kjo gjë nuk duhej të ndodhte pikërisht tani, – tha Pioli pas ndeshjes, – duhet të mësojmë të ruajmë gjithnjë të njëjtin nivel. Nëse nuk jemi siç duhet si shpirt luftarak, si nivel teknik dhe kthjelltësi, bëhet e vështirë. Mund ta realizojmë sezonin, por këto gabime na hapin punë”.

Milani: Menja, Kalabria, Tomori, Romanjoli, Hernandez, Benaser, Tonali, Mesias, Diaz, Leao, Zhiru.

Sfidanti.al