Ky që luhet këtu është sigurisht një nga kampionatet më të çuditëshme dhe për këtë arsye të surprizon javë pas jave. Të gjitha klubet zhvilluan faza përgatitore të gjata dhe u treguan shumë aktiv në merkaton e verës, por megjithëse ka kaluar çereku i edicionit, ekipet ende nuk na e kanë dhënë shansin për të kuptuar realisht forcën e tyre. Nuk është normale që një skuadër të ndryshojë me 70-80 % nga njëra ndeshje në tjetrën, por kjo po ndodh tek të gjithë pjesmarrësit dhe komentet që shoqërojnë aktivitetin janë aq kontradiktore, saqë lëvizin me trendin e motit. Këtu mund të shohësh në harkun e pak ditëve trajnerë heronj, të cilët marrin përsipër pa doreza që t’u japin leksione profesionale kolegëve të tyre, por edhe të gjithë publikun në përgjithësi, ndqërsa vetëm një fundjavë më pas duken për të ndjerë keqardhje, pasi ndodhen në prag të largimit nga vendi i punës. Dhe në fakt kanë një faj kolektiv që po ua vë disi në pikëpyetje aftësitë profesionale. Me gjithë këtë kohë në dispozicion, skuadrat që drejtojnë nuk janë ende të stabilizuara, për të treguar në vazhdimësi forcën e tyre.
Dhe jo vetëm për këtë arsye, futbolli shqipëtar mbetet më pak i ndjekur në kontinent, pavarësisht modifikimit të vazhdueshëm të orareve dhe motit gjithmonë të favorshëm. Përveç drejtimit profesional të skuadrave po vazhdojmë të vuajmë edhe nga një fenomen autektik. Gjithkush luan ku të gjejë një fushë të lirë diku dhe është pothuajse e pamundur të shoqërohet edhe nga tifozët e vet, duke përjashtuar ndonjë grup fanatikësh që numërohen me gishtat e dorës. Kështu që tashmë na është mësuar syri duke ndjekur ndeshje futbolli të luajtura në ambjente të akullta, që në një farë mënyre ndikon edhe tek cilësia e njerëzve të braktisur të fushës. Pra, pas një përfitimi modest nga e drejta televizive, të pretendosh të fitosh diçka nga biletat e tifozëve është një pretendim jo real… ndërsa merkato e shtrenjtë e verës duhet paguar çdo muaj, gjë që nuk bën tjetër, veçse shton nervozizmin e drejtuesve të klubeve.