FSHF thotë se ka “tym të bardhë” për tapetin e Arenës, por “kur digjesh nga qulli, i fryn kosit”!

E mbajmë mend sesa keq ishte në fillim. Nëse “Arena Air Albania” u cilësua si stadiumi më i bukur në Ballkan në momentin kur u përurua, fusha e tij meritonte të ishte në krahun e kundërt të kësaj renditjeje. Gjithsesi, ndërsa po bëhen 2 vjet që nga hapja e impiantit, “Arena Air Albania” po jeton rinovimin. Ka nisur puna për vendosjen e tapetit të ri, një investim prej rreth 1 milionë eurosh, që besohet se do t’i japë zgjidhje problemit të deritanishëm. Punimet po ecin mirë, siç duken edhe në pamje, dhe sipas burimeve në Federatën Shqiptare të Futbollit, fusha do të jetë gati për ndeshjen e kombëtares ndaj Hungarisë në 5 shtator, për eleminatoret e Kupës së Botës. Ka kohë vetëm 18 ditë, rreth dy javë e gjysmë, por tapeti i ri është më i shtrenjtë sesa ai që ka qenë më parë, dhe lidhja e tij me shtresën e poshtme të tokës do të jetë më e shpejtë. Flitet për një tapet hibrid, me bar natyral dhe artificial. Sipas të gjitha gjasave, edhe ndeshja e javës së parë të Superligës, mes Tiranës e Skënderbeut në 11 shtator, pritet të luhet në “Arenën Air Albania”, gjithnjë nëse nuk ndodh ndonjë vonesë, ose nëse fusha nuk do të dëmtohet nga sfida e kombëtares me hungarezët.

Sfidanti.al