FSHF si Gjermania, nxjerr në shitje biletat e finales ende pa short

Në aspektin e organizimit, FSHF ka bërë një “revolucion të vërtetë” duke barazuar e tejkaluar në praktika edhe vendet perëndimore, aty ku gatuhet e luhet futbolli i vërtetë. Pasi vendosi me një të rënë të lapsit formulën e Superiores, institucioni qëndror i futbollit shqiptar hedh një hap më tej tani në fillim të pranverës. Kur mungojnë edhe 7 javë nga fundi i sezonit ku nuk ka marrë ende formë katërshja e parë e madje nuk dihen as vendet ku do të renditen të paktën tre skuadrat e para që janë Egnatia, Partizani dhe Vllaznia (momentalisht shumë pranë final four), FSHF nxjerr në shitje biletat e tre ndeshjeve të fundit të sezonit që do të luhen në “Air Albania”.

Një lëvizje e ngjashme me Gjermaninë disa muaj përpara hedhjes së shortit të Euro 2024, nxorri në shitje biletat për njerëzit e thjeshtë. Ndoshta FSHF kërkon ta kthejë në ankand edhe çështjen e biletave të finaleve, por ajo që nuk dimë ende është se kur dhe për cilën ndeshje duhet të blejnë bileta tifozët e cilave skuadra. Shumë pikëpyetje në një fjali të vetme që tregojnë se në këtë mes ka një nxitim për të mbushur stadiumin me njerëz pa lidhje me procesin e skuadrat por thjesht njerëz që ndoshta nuk kanë shkelur kurrë në një stadium por do të vendosin të mbushin arkën dhe egon e FSHF-së me një biletë dhuratë për miqtë apo shokët si një shishe vere në raste festash.

Pse ky nxitim i FSHF-së për të nxjerrë në shitje biletat? Mos ndoshta është një lëvizje që tregon nxitimin e institucionit për të mbushur sa më shpejt tre stadiume “Air Albania” për ndeshje pa emra skuadrash? Ka frikë nga dështimi apo braktisja e refuzimi i tifozëve? Pse me kaq nxitim? Është nevoja për të grumbulluar sa më shpesh një grusht parash? Pyetje që me siguri do të mbeten pa përgjigje sepse “ligjin dhe maliqin” e ka në dorë një njeri i vetëm i cili preferon të luajë me futbollin shqiptar pasi vetëm kështu në zgjedhjet e ardhshme delegatët bashkohen edhe më shumë si një trup i vetëm për t’i dalë në krah.

Nga Pirro Bardhyli