Braktisi finalen e Superkupës së Turqisë, masa për Fenerbahce

Federata Turke e Futbollit (FTF) e ka gjobitur skuadrën e Fenerbahçes me 115 mijë euro këtë të enjte për braktisjen e Superkupës së Turqisë. Kujtojmë që Fenerbahce zbriti në fushë me 19-vjeçarët përballë Galatasaray-t, por u tërhoq nga fusha pas golit të Icardit. Edhe trajneri i klubit, Ismail Kartal, u pezullua me 60 ditë pasi urdhëroi skuadrën e tij të braktiste lojën. Kjo luftë mes Fenerbahçes dhe FTF-së shpërtheu kur skuadra verdheblu u sulmua nga disa tifozë të Trabzonsporit pas një ndeshje të Ligës Turke. Që atëherë, presidenti Ali Koç ka denoncuar ekzistencën e një “rrjeti të fshehur në futbollin turk”, i cili “vendos rrjedhën e kampionatit nëpërmjet arbitrave”. Si e tillë, pas një asambleje të përgjithshme me më shumë se 20 mijë tifozë, Fenerbahçe do të diskutojë ende opsionin e tërheqjes nga kampionati. Pati edhe arsye të tjera që çuan në bojkotimin e ndeshjes së Superkupës: Presidenti Koç kishte kërkuar që arbitri i ndeshjes të ishte i huaj dhe vetë loja të shtyhej për shkak të pjesëmarrjes së Fenerbahçes në Ligën e Konferencës, por të dyja kërkesat u refuzuan nga FTF.

sfidanti.al