FSHF, o ju zyra madhështore, mos harroni …jeni mbi eshtrat e Dinamos!

Kur me të vërtetën luan dhe e godet si të ishte një top futbolli, më shumë ka mundësi të bësh autogol sesa të sajosh gol! Edhe  këto fjalë që do të dëgjoni, të cilat lindën pas një interviste në Scan-TV, tingëllojnë si një e vërtetë e kulluar, por  në fakt i thotë një “mëkatar i kulluar”.  Para se të mësoni emrin, mësoni fjalët që janë thënë: “ Qeveria shqiptare vetëm ka prishur infrastrukturë sportive në këto 30 vite dhe nuk ka bërë përmirësime. Brenda Tiranës nuk ekziston asnjë fushë sportive shtetërore, apo e komunitetit.Duhet që futbolli të kthehet në një industri, duhen minimalisht 50 fusha futbolli në Tiranë. Kemi më pak se ç’kishim para viteve 90…”

Sikur t’i kishte thënë këto fjalë një trajner fëmijësh, askush nuk do t’i prekte qimen këtyre perlave , por të thëna nga presidenti Duka ..sikur bie kambana e mëkatit. Sidomos kur flakëron qeverinë me shuplakën se vetëm ka prishur infrakstrukturë sportive.  Po vetë FSHF-ja, e cila këto ditë pandemie u fut në megazyrat e saj të reja, a nuk “varrosi”,  kokë e këmbë, kompleksin më të bukur sportiv të kryeqytetit për të ngritur “kalanë e saj” prej betoni? Edhe pse jemi prerë për të harruar, në rastin e klubit Dinamo, kujtesa është më e fortë se harresa. Edhe pse muret e larta të FSHF-së, te cilat ngjajnë si një skedinë e praruar me X-sa,  duken sikur kanë zhytur thellë skëletin  e klubit Dinamo, vepra e mëkatit është më e lartë se muret. Dinamo  vazhdon të paguajë një haraç të pashembullt, mëse  unikal në histori, pasi  skema e rënimit ka qënë  kopsitur me djallëzi mjeshtrash. Në fillim zhdukën ekipin, më pas gllabëruan trojet e shtëpisë.

Ndaj, mbetet i paharruar dialogu mes presidentit tonë, Duka, dhe presidentit të UEFA-s, Ceferin, tamam në ditët e inagurimit të “Air Albania” ( edhe në këtë rast një stadium mbi eshtrat e një tjetri), kur shefi slloven vizitoi zyrat e reja të FSHF-së me habinë  groteske : “ Po këto qënkan më të mëdha edhe se zyrat tona te UEFA-s? Gjithë kjo hapësirë, çfarë ka qënë më parë?” Përgjigjen e zotit Duka, mund të jap vetëm një “vrasës i ftohtë” : “ Ishte një klub futbolli, por nuk është më…”

Sfidanti.al