Mund të flasësh gjatë të gjithë ditës për krizën që ka mbërthyer futbollin shqiptar në të gjitha nivelet, duke përfshirë problemet e thella financiare, apo kriza të sajuara nga vetë drejtuesit e klube, në dëm të skuadrave të tyre, por rasti i Flamurtarit mbetet specifik. Gjatë viteve të fundit, ata që kishin në dorë fatet e skuadrës u munduan të përhapnin një ide që e cilësuan fillimisht një gjetje të tyren, ndërkohë që për ta vënë në zbatim u gjesh që të shpenzonin pirgje me para. Prej kohësh ka qarkulluar një slogan i turpshëm, madje së fundi i thënë edhe në publik: “Flamurtari është e pamundur të bëhet me vlonjatë”… Dhe në të vërtetë, kohët e fundit, Vlorën e futbollit e kanë vizituar një mori të ardhurisht, të huaj, apo shqiptarë nga qytete të tjera, të thirrur për të ndërtuar një skuadër konkuruese, por për fat të keq, vitet kaluan dhe gjithçka mbeti e njëjtë, vetëm një tentativë e dështuar. Logjika të cilës i shërbyen ishte ajo e thjeshta, që vendasit kanë karakter disi të ashpër dhe janë të vështirë për t’u urdhëruar, por konkluzioni ishte edhe më i thjeshtë. Të ardhurit e panë si një vend të zakonshëm pune, ku mund të qëndrosh për sa kohë të paguajnë dhe vetëm kaq.
Kështu që Flamurtari, për të cilin kemi dëgjuar në prag të çdo sezoni, se dikush është gjithmonë i gatshëm të shpenzojë shifra të frikshme, gjatë kësaj periudhe nuk ka fituar pothuajse asgjë. Dhe për ironi të fatit, Flamurtar i lavdishëm dhe që vazhdon të kujtohet për bëmat në fushën e lojës ka mbetur vetëm ai i atëhershmi, kur ata që i veshnin uniformën ishin të gjithë vendas, që nga drejtuesit teknikë dhe deri tek rezerva e fundit e stolit. Por ironia vazhdon… Ndërkohë që të huajtë dhe jabanxhinjtë, me luhatjet e motit janë larguar nga Vlora, vetëm disa prej legjendave të dikurshme kanë ngritur zërin për rënimin e skuadrës, duke treguar se u ka mbetur dashuria për fanelën që dikur nuk e kanë shëtitur nëpër fusha, por e kanë nderuar. Ndërkohë që Bashkia e qytetit, por edhe ambjenti në përgjithësi është kthyer në indiferent, duke e pranuar në një farë mënyre gjendjen aktuale të këtij simboli që po shuhet. A po, ka mbetur edhe një debat i pakuptimtë i Sinan Idrizit me Eqerem Memushin dhe që nuk ndihmon për asgjë…