Në Angli e kanë të qartë dhe e theksojnë, që breza si ata të viteve 1950 e 1990 nuk lindin në çdo kohë, por gjithsesi te ky Mançester Junajtid ka lindur të paktën një yll i ri i së ardhmes. Mejzën Grinvud (Mason Greenëood) pati shansin, që iu dha nga trajneri Ole Gunar Solskjer, dhe e shfrytëzoi më së miri duke lënë përshtypje të thellë. Ishte 17-vjeçari që shënoi golin e vetëm në ndeshjen e Ligës së Europës në “Old Traford” ndaj Astanës së Kazakistanit, duke e shpëtuar skuadrën nga një barazim turpërues.
Solskjeri i dha mundësinë edhe disa të rinjve të tjerë si Tahit Çong (19 vjeç), Angel Gomes (19) dhe Aksel Tuanzebe (20), aq sa sulmuesi Markus Rashford u duk si një veteran, ndonëse është vetëm 21 vjeç. Në fushë edhe Diogo Dalo, po 21-vjeçar. Trajneri i ndenji besnik politikës së tij të talenteve të rinj, dhe jo të blerjes së yjeve të gatshëm, ndonëse nuk dihet sesa do të ketë sukses.
Tifozët e Mançester Junajtidit kujtojnë apo kanë lexuar për brezin e “bebeve të Basbit” të viteve 50-të me në krye Bobi Çarltonin, apo për brezin që doli në ekipin e parë në 1992 me Sër Aleks Fergusonin, ku bënin pjesë Gigs, Bekam, Skoulls, Bat, Geri e Fil Nevil (në foto), të cilët krijuan epoka të mëdha të “djajve të kuq”.
Sfidanti.al