Sikur të mos mjaftonte fakti që futbolli shqiptar prej vitesh nuk prodhon më lojtarë të niveleve të larta, këtë janar një shuplakë e fortë e Komitetit Ekzekutiv të FSHF ka vënë në diskutim edhe vetë ekzistencën e akademive të futbollit në mbarë vendin. Në një ndeshje futbolli zyrtare të organizuar nga FSHF, çdo skuadër mund të aktivizojë deri në 7 të huaj. Një lëvizje që na kujton vitet piramidale të fajdeve ku klubet që nga Gjirokastra e deri në Shkodër morën ngjyrime amerikano-latine edhe pse ata lojtarë mund të ishin transportuar ndoshta edhe nga plazhet e Brazilit apo fushat amatore të Argjentinës.
Kush është qëllimi i këtij ndryshimi të papritur dhe të pakonsultuar me klubet? A pati dikush kurajën që në mbledhjen e Ekzekutivit të ngrite qoftë edhe një hije dyshimi? Vështirë, duke ditur e parë përbërjen e njerëzve “yes man”, të cilët pak e njohin futbollin shqiptar, dinamikat e tij dhe aq më pak u intereson nëse e dëmtojnë apo ndihmojnë. Në një kohë që lëvizjet sportive në kontinent kërkojnë pikërisht të kundërtën për sportet e kombëtare përkatëse, Shqipëria legjitimon importin e bollshëm nga jashtë e pas kësaj lëvizjeje, asnjë president nuk do ta ketë aspak problem të zëvendësojë “tekanjozët” shqiptarë me “jabanxhinjtë” e fushave me baltë të botës.
Nga Pirro Bardhyli