Efekti magjik i golit të Ditës: fituesi iu bë humbës, “humbësi” u shpall ..fitues!

Si ka mundësi që 4 golat që pësoi Partizani me Kukësin kaluan pa dhimbje , gati sikur të ishte krejt normale ajo goleadë turpërimi , ndërsa humbja minimale me Skënderbeun, as nuk përtypet dot nga “stomaku” i klubit. Ka shumë arsye që kjo humbje të mos shkojë si humbjet e tjera në koshin e harresës. Partizani , sipas stilit tij të njohur, krijoi shumë volum, shpërfilli  disa  raste dhe e fjeti mëndjen se, edhe sikur të kishte një barazim në fund, do të shpallej fitues moral. Po Skënderbeu ? Habiti shumë me sjelljen e tij inferiore, dukej sikur nuk i interesonte fare porta kundërshtare, aq sa kur Lila goditi për herë të parë portën në minutën e 59-të, shëmbëlleu si një gjest tradhëtie mes asaj përgjumjeje kolektive. Por, s’paska qënë gjë fare ky episod, sapo kujton golin ekstrem, tejet  paralizues të Bruno Ditës, goli që pataksi të dyja palët .Po, po të dyja palët, sepse i dha atë që nuk meritonin. ..

Një gol i paftuar nga logjika , por me efekt magjik, ku palët këmbyen vendet tamam mu në çastin e fundit. Humbësi u shndërrua në fitues dhe fituesi në një humbës pa takt. Si ka mundësi të ndodh kjo hata, tamam me Skënderbeun, me ekipin që kishin overdozë arsyesh për ta fituar ndeshjen, për të provuar shijen e golit të parë sezonal, për t’i bërë pak kozmetikë morale, humbjes budallaqe në Kukës, etj, etj. Të pamësuar, ose më mirë të mësuar keq për të lexuar humbjet, kritika nuk mbërrin në portën e Hoxhës, të cilit i kaloi pranë duarve topi goditur nga Dita, por zbarkon për alibi  tek adresa e njohur,  e shkarkimit të fajit, tek arbitri Andi Koçi. Sikur të mos flisnim për arbitrin, të paktën këtë ndeshje, të flsinim më shumë për një lojë të shpërdoruar nga vetë futbollistët, kjo duket se nuk është në stilin tonë, në zanatin tonë…

Sfidanti.al