“E la apo nuk e la”, përgjigja për presidentët vjen nga stadiumet

Shpesh janë më të bukura fjalët që thuhen pas ndeshjeve sesa vetë futbolli që luhet në fushë. Nëse merr me radhë protagonistët, vëren se ata preken dhe kundërsulmojnë sidomos kur u kujtojnë dyshimet e njerëzve se ndeshjet në kampionatet tona tolerohen. “Gabime njerëzore”, thuhen për ato të sulmuesve, mbrojtësve, të portierëve apo të arbitrave.

Në raste të tilla nuk ka ndëshkime, por kur ndodh që ultimatumet e presidentëve nuk marrin përgjigje pozitive, atëherë fillojnë gjobat ose mosdhënia e rrogave.

Natyrisht, përgjigja e publikut për dyshimet vjen shpejt, ose ka ardhur, mjaft të numërosh njerëzit në stadium.

Në të vërtetë, në një epokë thjesht “empirike” (pra, që diskutohet vetëm çfarë shikohet me sy), si kjo që po kalohet në Shqipëri, është shumë e lehtë të kalosh “lumin” me fjalë të bukura, ndërsa të vërtetat lindin dhe vdesin brenda protagonistëve, të paekspozuara në publik.

Nëse do të kishim qenë të paktën në nivelin e Italisë (jo më, të Gjermanisë apo Suedisë), do të kishim dëgjuar telefonatat e “Luçianove” tanë, dhe pastaj do të prisnim një biletë për të parë shfaqjen në gjykatë.

Sfidanti.al