Ndërsa shkruhen këto rreshta, diku ndoshta mendohet një “episod” tjetër. Superliga shqiptare e ka harruar misionin e saj kryesor, pikërisht futbollin, por ama po tejkalon “planin e dhunës”. Sipas një analize, këtë sezon kanë ndodhur 10 incidente, që do të thotë mesatarisht nga një për çdo klub të (me nder) elitës.
Nga “gjëra të vogla” si goditje me shishe ndaj arbitrit apo hyrje në fushë për t’i hequr veshin lojtarëve, u arrit tek rrahja e fotografit, arbitrit dhe u kulmua me goditjen numër 1 ndaj presidentit, dhe pastaj me goditjen numër 2, ndaj presidentit tjetër.
Nëse niveli i futbollit mund të ketë rënë, ai i dhunës njeh rritje. Shumëkush mund të tregojë me gisht policinë e shtetit që është larguar nga stadiumi, por ky sërish është vetëm një justifikim. Shumica dërrmuese e dhunës mbetet nga sektori i privilegjuar, i njerëzve me poste e pushtet. E pra, ata, edhe për policët e thjeshtë, janë “bosët”. Siç është shprehja e vjetër romake, “nëse gjenerali këput një mollë, ushtarët shkatërrojnë gjithë parcelën”.
Sfidanti.al