Bajern-Dortmund, shefi i Borusias analizon veten dhe kundërshtarin

Hans-Joakim Vacke është shefi ekzekutiv i Borusias së Dortmundit, apo CEO siç e thonë me shkronjat e para në anglisht. Ky CEO u pyet nga mediat si “DAZN”-i apo “Spoksi” (Spox), përpara duelit të madh të sotëm të Bundesligës. Ai ngacmohet se mos Bajerni është i dobët! “I dobët? Në 2011, ne e mbyllëm me 74 pikë dhe Bajerni me 65, pra ky mund të quhet një moment i dobët, kurse tani Bajerni ka fituar 13 nga 15 ndeshjet e fundit të Bundesligës. A mund të quhet kjo dobësi?” – ishin fjalët e tij.

Vacke vlerëson vullnetin e Bajernit për të fituar, duke e krahasuar me skuadrat e mëdha si Barcelona apo Liverpuli, por theksoi se edhe Dortmundi ka vullnet, dhe prandaj është në atë pozicion që është. Po trajneri Lysien Favre? “Nuk mund të bëhej më mirë se kaq, – deklaroi shefi ekzekutiv, – kur je në vend të parë me një skuadër që në fillim të sezonit nuk vlerësohej nga specialistët, do të thotë se ke bërë shumë”.

Duke mos dashur të bënte parashikim për ndeshjen e sotme, Vacke u mor vetëm me lavdërimin e Bajernit, dhe të shefit të tij ekzekutiv. “Kam respekt të madh për Bajernin sepse është klub jashtëzakonisht i suksesshëm, – tha ai, – nuk kam problem me asnjë tek Bajerni, madje kam marrëdhënie special me Karl-Hajnc Rumenigen, që është nga Vestfalia, ashtu si unë. Nuk jam afër me Uli Hënesin, por e di se çfarë ka bërë ai për Bajernin”.

Sfidanti.al