Dikur në Elbasan, në formën e barsoletës gazmore, thuhej se Kombinati Metalurgjik ishte më fitimprurës kur nuk punonte sesa kur punonte dhe nxirrte tymin e zi. Kurse sot, në kohën e Kombëtares që lëshon vetëm tym të bardhë, kur po bëhet gati një muaj që stoli është pa trajner, dëgjon të ngjallet version “ i vdekur” i kësaj anektode. Shqipëria e futbollit, tamam –tamam ajo e presidentit Duka, e cila kënaqet më shumë kur luan me topin e shfryrë , madje aq sa kërkon të na e fusë edhe poshtë këmbëve, na ofron versionin gjenial se kur stoli mbetet bosh, e kundërta ndodh me arkën, mbetet plot. 40 apo 50 mijë euro që do të merrte trajneri i huaj, më mirë t’i hajë shqiptari sepse gropa e stolit e cila vetëm thith dhe nuk mbushet kurrë. Një gropë që nga gjithë trajnerët e huaj, që na mësuan futbollin e madh të këtyre 16 viteve, vetëm De Biazi u mundua të hidhte disa lopata për ta mbushur kur tha në ikje e sipër se “ Mos harroni kurrë se me mua keni fituar më shumë, sesa keni humbur”. Të gjithë kemi mbyllur gojën kur kemi dëgjuar këto fjalë, vetëm shefi na ka shpëtuar nderin, kur në takimin e fundit me De Biazin i ka nxjerë nga portofoli një llogari sekrete, sipas të cilës dilte se ne kishim blerë me para karrierën në ngjitje të trajnerit në ikje..
Ndaj edhe italiani u tregua i arsyeshëm kur i mblodhi mbrapsht gjithë fjalët fyese për kujdestarët e tij dhe të nesërmen fabrikoi buzëqeshjen e lumtur, madje edhe hodhi votën që pas futbollit, të kishim të ardhme edhe në jetë. Tani të gjithë pyesin me padurim se cili do të jetë pasuesi i tij, a do t’i lidhim dot zemrat si me Italianin që luajti bukur edhe shqiptarin? Na thonë se për popullin kuqezi është më mirë të jetë Italian sepse gjithë jetën i kemi parë nga dritarja, kurse tani i prekim në stolin tone, lëkurën e të cilit e kuptojmë sa vlen vetëm kur është bosh. Ndaj kjo periudhë pa trajner pagëzohet me qesëndi si “orgazma zyrtare” sepse trajnerë nga e gjithë bota na “qurraviten” për të marrë drejtimin e një ekipi, që fluturoi me dron në Europian, dhe tani pret që trajneri i ri të “dënohet” me kualifikimin në Botëror. Sido që ta ketë emrin, italian apo qoftë i një race tjetër për të cilën nuk po flitet fare, le ta shijojmë këtë periudhë pa trajner, ngaqë edhe portofoli ka nevojë të shlodhet, por edhe president Aramando ka nevojë patologjike të ndihet protagonist.Çfarë qejfi është, kur gjysma e trajnerëve të Europës, këto ditë vape, bien në gjumë me lutjen për të bashkëpunuar me njeriun fatsjellës . Duket se Xhani ka spiunuar në Itali kur paska thënë: “ Ata kanë nevojë jetësore të tradhëtojnë, kurse ne kemi nevojë për ..karrierë”.
Gëzim Sinemati
Botuar në gazetën Panorama Sport