Në të vërtetë, nuk është kaq e lehtë që të vlerësosh sesi do të zhvillohet një lojtar gjatë karrierës së tij dhe as nuk është e lehtë që të punosh në një klub të madh, pra, të synosh trofe dhe, në të njëjtën kohë, t’u japësh shanse që të luajnë futbollistëve të rinj që të tregojnë veten. Ky me siguri që do të jetë justifikimi i Zhoze Murinjos, kur gazetarët anglezë ta pyesin atë se përse, vetëm para tre vitesh, kur ishte trajner i Celsit lejoi që Romelu Lukaku t’i shitej për 35 milionë euro Evertonit, kurse, tani, ofron madje edhe 75 milionë euro që ta përfshijë atë në planet e veta! Deri në njëfarë mase, ky justifikim edhe mund të qëndrojë, por, sidoqotë, ka shumë edhe nga ata që thonë se lejimi i largimit të Lukakut nga Celsi ishte një vlerësim i gabuar i “specialit”. Por, kur fillon që ta analizosh më mirë një situatë të tillë, mund të thuhet se nuk është fjala vetëm për Lukakun që është shembulli më i freskët dhe, në vazhdim, ne po ju sjellim disa shembuj të tjerë të tillë:
Kevin De Bryjn – më 2013, Murinjo ia shiti Volfsburgut për 22 milionë, ndërkohë që, mbas dy vitesh, Mançester Siti e bletu atë për 74 milionë euro.
Leonardo Bonuçi – në sezonet 2008/09 dhe 2009/10, Interi ishte i pakapshëm për të gjithë kundërshtarët e tij, pasi Murinjo dhe “neroazurët” e tij arritën një triumf të trefishtë, por, mbas vetes, ai la një boshllëk! Atë moment, strategu portugez mendonte vetëm për suksesin dhe jo për të ardhmen e Interit, kështu që vendosi lehtësisht që “të çlirohej” nga Bonuçi 22-vjeçar që vetëm për 4 milionë euro iu shit Barit! Tani, vlera e transferimit të këtij mbrojtësi italian është 50 milionë euro.
Huan Mata – në sezonin 2012/13, ai u shpall lojtari më i mirë i Celsit, por, dimrin pasardhës, Murinjo ia shiti atë Junajtidit, ku, tani, ai ëshë lojtari më konstant.
Sfidanti.al