Kjo mund të quhet dashuri nëpërmjet dhunës! Nuk po futemi në të thella për ta quajtur kënaqësi nga vuajtja e tjetrit apo sadomazokizëm edhe në “krevatin”e futbollit ! Bylis, mbetet stoik ,një ekip “model ndëshkimi”, i cili vazhdon të përvidhet nga arbitrat në fushë dhe flakerohet nga Komisioni i Disiplinës në vendime. Edhe presidenti Kapllanaj dënohet 4 javë, që të mos vërë këmbë në stadium! Prapë nuk mjafton, dashuria triumfoka mbi dhunën!
Dëgjoni fjalët e presidentit Kapllanaj, fill pas dënimit më të fundit : “ Nuk kam asnjë problem me drejtuesit e FSHF-së, madje kam raporte të mira. Por nuk mund të heshtë kur shikoj që ndaj klubit tim ka gjëra të qëllimta…” Edhe raporte të mira, edhe shikon gjëra të qëllimta! Kjo është gjuha e futbollit, që të çon deri tek çesma dhe nuk të jep ujë!
Batuta në film është “na rrahin dhe nuk na lënë të qajmë”, kurse në filmin serial që luhet prej vitesh në Superligë, viktima Bylis, edhe pse e ka kurrizin plot me vraga dhe me shenja, krenohet me raportet intime që ka krijuar me dhunuesit zyrtar të këtyre viteve. Pale sikur të kishte edhe futbolli një klasifikim për “dhunën në familje”, kushedi sa larg Bylisit do te ishin ekipet e tjera…
Sfidanti.al