Pavarësisht rezultatit, atmosfera në stadium ishte mjaft shqiptare. Vllaznia e vajzave u mund 0-8 në ndeshjen e dytë në grup në Champions nga Çelsi, por gjithsesi impianti londinez i ngjau sado pak “Loro Boriçit”. Qindra tifozë shqiptarë, nga komuniteti i madh i ynë që jeton në Britaninë e Madhe, kishin blerë një biletë për të parë të parin ekip të Shqipërisë në fazën e grupeve. i pranishëm në stadiumin “Kingsmidou” edhe sulmuesi i ekipit të djemve të Çelsit, njëkohësisht i kombëtares shqiptare, Armando Broja. Gjithsesi, pavarësisht përkrahjes së madhe, vajzat shkodrane nuk mundën ta përballonin një skuadër kaq të fortë sa Çelsi. Diferenca në klas në këto nivele është tepër e madhe, siç është edhe ndryshimi i skajshëm në investim. E tregoi fakti se Vllaznia realizoi vetëm një gjuajtje drejt portës së londinezeve në 90 minuta, edhe atë jashtë kuadratit, në ndryshim nga 34 gjuajtje gjithsej të vajzave të Çelsit.
Sam Kerr, autorja e 3 rrjetave, u shpreh e lumtur në fund, “Ne e respektuam Vllazninë duke hedhur në fushë ekipin më të fortë të mundshëm, – tha ajo, – ne luajtëm vërtet shumë mirë. Kemi futbolliste shumë të mira. Mund të kishte qenë më e vështirëm, por ne u treguam shumë të përqëndruara, duke ruajtur nivelin e lartë deri në fund. Jemi të lumtura që po shënojmë gola dhe po fitojmë”. Në grupin A në Champions, gara për kualifikim do të jetë mes Çelsit, Realit e Paris SG, ndërsa madrilenet barazuan pa gola në fushën e tyre ndaj francezeve në ndeshjen e dytë.
Sfidanti.al