Covidi përçan vëllezërit! Në Kosovë japin para, në Shqipëri “lypin” ..para!

Ia vlen të dëgjojmë fjalët e presidentit të Futbollit të  Kosovës, Agim Ademi, tamam në këto momente kur duket sikur luftën më të madhe e kemi me virusin dhe.. jo me veten tonë. Ademi, me rastin e krizës që ka shkaktuar Pandemia, ka bërë një deklaratë që duket  normale për kohën që jetojmë, por “anormale”  për drejtuesit e futbollit në anën tjetër të vëllazërisë. Ç‘ka thënë Ademi për të prishur harmoninë në familje? “Çfarëdo që të ndodhë, federata do të ndihmojë të gjithë klubet dhe lojtarët. Mos kini frikë, federata është në mbështetje të klubeve me aq mundësi sa ka..”

Sigurisht, ky qëndrim i fut lakun  FSHF-së ,  pale të mendosh se kjo deklaratë erdhi fill pas ndihmës 5 milionë euro që do të japë qeveria e Kosovës për Sportin në përgjithësi.  Po tanët, pse e humbën “trenin moral” këtë radhë? U treguan më të shkathët ( me fjalë, se me vepra nuk dihet )  në rastin e tërmetit, kur deklaruan se do të falnin një apartament për të dëmtuarit, kurse tani në kohën e Covidit 19, ku janë dëmtuar gjithë klubet, burra e fëmijë, nuk janë më në listën e sulmit, por në mbrojtje të thellë, duke pritur ndihmë nga ..Qeveria. Një sjellje amorale,  që meriton  pyetjen:  Pse FSHF nuk kopjon  FIFA-n për të bërë një plan mini-marshall për të ndihmuar klubet, pa pritur “lëmoshën qeveritare”!  Siç duket, nuk ka taktikë vetëm në lojë, por edhe kur luhet me “top virusi” në kohë krizash.

Duket si paralizë totale, kur shikon se askush nga klubet nuk shfaqet publikisht për të kërkuar ndihmë nga FSHF dhe kreu i saj, por të gjithë janë zemëruar me kryeministrin Rama.E kanë me shefin e madh,  metamorfoza e të cilit është histori më vete. Në kohët e arta ,  Kombëtaren e pritën me tapet të kuq në Rinas pas Europianit, dhe popullin kuqezi e futën në shtëpi sikur kishte ardhur virusi, ngaqë  do t’i gëzohej e para politika, më pas..turma! Madje, ia vlen te kujtohet  kjo histori, sidomos  kur  Politika na  tha me të madhe dhe se …futbolli me në krye Kombëtaren,  ishte ambasadori me i talentuar dhe më i zoti që kemi patur! Shumë vetë derdhën lot atë ditë kur dëgjuan këto fjalë zemre, pa e e ditur se do të qanin edhe një ditë tjetër , kur do të mësonin një të vertet tjeter …se futbolli jo vetëm nuk është ambasador, por qënka punë..fasonësh!

Sfidanti.al