Kohë më parë në Vlorë, si për të krahasuar portën e tyre me një kasafortë të sigurisë së lartë, thumbonin me humor : “ Mos i mbani paratë në shtëpi, por futini tek porta e Flamurtarit se është si një bankë që s’preket”. Ka dy javë që “bankën’ e kanë braktisur rojet speciale, edhe më keq akoma, dera ka mbetur hapur dhe çelsin e kanë marrë..”hajdutët”. Nuk besohej se do të s’përdridheshin kaq keq statistikat , por e vërteta vlen më shumë se shifrat. Në harkun famëq të dy javëve, porta e Flamurtarit ka mbledhur 7 gola, aq sa gati pësoi në dy faza kampionati. Ç‘ishte ky mallkim që zuri portën e Flamurtarit? Kur pësuan 3 gola me Vllazninë, “flamurtarët” më tepër u lodhën të tregonin se “shtatzënia” në portën që krenohej me virgjëri, s’ishte bela e vonesës së rrogave, por thjesht një arratisje kapriçioze nga detyra e disa lojtareve, që si për dreq edhe shtëpinë e kishin pranë Teatrit të qytetit. Ishte si një ëndërr e keqe, si një tollovitje me gola shkodranë e me bujari vlonjate, ndaj as nuk besonin se më e keqja do të vinte dhe nuk kishte ardhur akoma…
Kur porta e Flamurtarit, sikur i kanë vënë magnet, terhoqi edhe 4 gola me Laçin, frika më e madhe është se çfarë do të shohim më tej. Edhe pse e besojmë trajnerin Duro se në Laç muzika është stoike, gati e porositur në këto tri ndeshjet e fundit, dhe pse arbitri Meta nuk doli pa lagur top-kokën, a mund të gjendet një prift për të falur mëkatet e 4 golave.
“ Edhe ne kishim fajet tona” – mezi degjohet kjo fjali në fund, vetëm në fund, pasi trajneri Duro tenton te ruajë nderin e futbollistëve të tij, ngaqë deri në 2-0 e dërgoi rezultatin Kridensi “fluturues” , kurse goli i tretë dhe i katërt s’ishin punë arbitri, por thjesht një mallkim që po ndodh këto javë. Një mallkim, nga ato që po të besohen “shtrigat” e kampionatit, si për tersin e madh, ka lindur pas puthjes më ..Superiore të Asamblesë, asaj të presidentit Duka dhe shefit vlonjat, Idrizi.
Sfidanti.al