Kapriço e radhës së Nejmarit; nuk do që të luajë më me PSG

Nejmar vazhdon me tekat e tij. Sulmuesi brazilian që ndodhet në vendlindje për t’u riaftësuar nga dëmtimi në kavilje ka shfaqur dëshirën për të mos luajtur më ndeshje me fanelën e Paris Sën Zhermen dhe të largohet prej kësaj skuadre në fund të sezonit. Kjo është ajo që raportohet në orët e fundit në median iberike sipas së cilës, 26 vjeçari është shfaqur i pakënaqur me mënyrën sesi po e trajtojnë tifozët e skuadrës, ndërkohë që mungojnë edhe raportet mes tij e lojtarëve të tjerë të Paris Sën Zhermen.

Gjithnjë sipas medias spanjolle, Nejmar madje është penduar për largimin e tij në drejtim të kampionatit francez dhe po kërkon kthimin në atë spanjoll. ‘El mundo Deportivo’ thekson se Nejmar u ka kërkuar drejtuesve të Barcelonës që të kthehet në Camp Nou, një kërkesë që është pritur shumë ftohtë nga këta të fundit të indinjuar për mënyrën e largimit të tij verën e kaluar.

Ndërsa në Madrid, e përditshmja AS flet për këmbënguljen e Realit të Madridit për të sjellë në Santiago bernabeu futbollistin e përfaqësueses braziliane. Gjithnjë sipas kësaj të përditshmeje, përfaqësuesit e ‘Los Blancos’ kanë shfaqur gatishmërinë për të paguar 400 milionë Euro për të blerë kartonin e Nejmar Jr.

sfidanti.al