Njeriu më i shpejtë në botë mbetet xhamajkiani Usain Bolt, kurse më i shpejti në Shqipëri..mbetet thashethemi! Dhe në Superligë, s’ka askund tokë tjetër më ideale, ku thashethemi dhe e vërteta të trazohen me kaq marifet, sa shpesh shfaqen si binjakë që ngjasojnë. Por, ka edhe raste që “vëllezërit” nuk ngjasojnë fare.
Dhe kjo ndeshja hallemadhe, Skënderbeu-Tirana, i përket rastit kur “binjakët” vënë në dyshim edhe prindërit: para ndeshjes iu ngrit një “bust” thashethemit, sikur Tirana do të dorëzohej në Korçë, ndërsa Skënderbeu do të ngjallej së vdekuri. Pas ndeshjes, Tirana e hodhi poshtë “bustin”, e shkërmoqi me 4 gola dhe habia më e madhe nuk vinte nga loja dhe rezultati, por donim të dinim se cili ishte ai nastradin,që doli mbi nastradinët e tjerë, ata që na tregojnë zakonisht fundin e përrallës… pa filluar ndeshja.
Dhe kjo “përralla e fundit” na kushtoi shumë shtrenjtë. Kemi sakfrifikuar gjithë “pasurinë e botës” , pjesën e dytë të madhërishmes së Premier Ligës, , Mançester Siti-Liverpul, sepse ishim tërë sy e veshë duke përgjuar ndeshjen e Superligës, më të parëndësishmen në botë, por shumë delikate për llojin tonë… se flitej për çështje nderi! Dhe sakrifica jonë doli sublime: nuk pamë 4 supergolat që u bënë në Angli, ngaqë po numëronim 4 golat që u bënë në Shqipëri. Dhe hjade dëgjo tani edhe çunat e sistemit , ata që na dhuruan “burgun” 10 vjeçar ne Europë, me këshillën e tyre të urtë: “ Nastradinin e topit nuk e sollëm ne, por e gjetëm midis jush…”
Sfidanti.al