Ç‘ishte kjo hata tek  goli i anulluar i Bylisit? Mos lindi në “minutën e gabuar”…

Goli që iu anullua Bylisit në ndeshjen në Shkodër me Vllazninë, do të  kujtohet si një “magji e zezë”, pasi me maviola e stërmaviola, askush nuk e gjeti  dot sekretin e   vendimit të  mistershëm të arbitrit Xhaja. Të habit dhe të lë pa fjalë ky lloj futbolli që ha golat, pasi  arbitrat ia shkepin si pa të keq, duke vrarë drejtimin e lojës , ndofta me  arsye të padukshme. Po ç‘ishte kjo hataqë ndodhi  këtë radhë? Mos ka ardhur si me porosi ky “anullim goli”, si dikur kur luanim “anullim loje”?  Pale kur kujton  presidentin e Bylysit, zotin Kapllanaj, kur një ditë “pendese” në ekran, pak kohë më parë,   i  spërkati arbitrat me shërbet , sepse  Bylisit të tij nuk ia kishim më me të hedhur..si dikur ! Dhe kjo bëma e fundit, e cila për fat të keq i ndodhi arbitrit që bekohet  me të ardhme, Juxhin Xhajës, ndryshon shumë nga gjithë rastet flagrante .

Askush nuk e di se përse u ndalua të “jetonte” goli i kulluar ,që erdhi në jetë pas një aksioni plot dritë,  ku asnjë arbitër  në botë nuk do të gjente dot arsye për t’i rënë bilbilit. Ata që quhen ekpertë të maviolave e pagëzuan në mënyra të ndryshme vendimin më trashanik të javës: njëri thoshte se nuk e di se çfarë ka ndodhur me arbitrin në ato momente, tjetri , kur shikonte e rishikonte aksionin, bindej se kjo gjë ishte e pafalshme. Një tjetër, zbuloi  se arbitri Xhaja kishte dashur të fërshëllente kundër Vllaznisë për një tërheqje nga  fanella,  por e kishin tradhëtuar sytë.. kur pa topin në rrjetë.  Sa herë që golat vidhen sy për sy, pa ndonjë shkak,  çunat e maviolës kanë frikë të bëjnë  pyetjen fatale : vallë, mos goli doli në dritë në minutën e gabuar? Sido që të jetë e vërteta e këtij goli të zhdukur adresë të panjohur, të habit fakti që autor është pikërisht Xhaja, i kategorizuar  si  përfaqësues i “brezit të panjollosur”. Ai që mrekulloi në hapat e para të karierës, pasi dha  dy penallti të sakta për dy minuta, ndryshon një ditë, dhe brenda sekondit “avullon” një gol që do ta shijojë  si një hudhër ndryshe…

Sfidanti.al