Ç‘ishte kjo hata në Shkodër! Ku ta gjejmë  fajin tek  futbollistët apo tifozët ?

Sapo kishte nisur   “jeta” në stadiumin e Shkodrës, tifozët  kishin filluar të shtonin radhët duke besuar tek përralla e sivjetme  futbollit, dhe mbërrin  një ndeshje, që të merr mendtë! Një ndeshje e humbur në mënyrën më të pabesë me Partizanin , sa thuhej në stadium, me gjuhën e humorit shkodran, se ishin  lodhur kot me 90 minutat , ngaqë  farmaku i ndeshjes  fshihej   në kohën shtesë!  Dhe kur golat dalin nga “shtesa e katit” ( minutat shtesë) ,  aq më keq kur i bën një  kundërshtar që ka emrin  Partizan, në qytetin ku ka lindur topi dhe e qeshura .. prishet humori!  Më zi akoma, kur një nga ndëshkuesit e golave ekstrem  është Çinari, një shkodran që gjeti në gjumë “ tan Shkodrën” …

Trajneri i Vllaznisë, Jonuz,  nuk beson tek ndonjë mrekulli e Partizanit, që ndihmoi  për të vjedhur një ndeshje që po vdiste me  damkën e barazimit. “ Futbollistët tanë mbajnë  peshë të madhe emocionesh kur luajnë në stadiumin e tyre” –  janë fjalët  e paçmuara te trajnerit.  Tingellojnë tepër të  çuditshme, veç janë të vërteta për veshët që i dëgjuan.  Para se të vinte kjo humbje , thuhej me të madhe se, nëse Vllaznia po çudit Superligën, duke qënë kryesuese e kampionatit, kjo është edhe për meritë të tifozëve shkodranë që dinë të luajnë bashkë me ta. Por, sapo mbërriti humbja pikante, tamam në frymëmarrjen e fundit të ndeshjes,  magjia është prishur dhe..na del se Vllaznia është  më e fortë  kur luan larg mureve të Shkodrës.  Krejt ndryshe nga e gjithë  bota e topit ,ku  tifozët ndezin ndeshjet, në Superligë janë bërë pengesë “emocionale” prej vitesh.  Ndaj edhe futbollistët  tanë ndihen komod kur nuk ka këmbë njeriu,  madje  janë mësuar të zbulojnë “talentin” kur stadiumet janë të dënuar apo të boshatisur …

Sfidanti.al