Nuk është lajm kur fiton Mançester Siti, qoftë edhe ky i tanishmi që ka pasur disa zhgënjime. Përshtypje bën kur fiton në një mënyrë jo edhe aq të zakonshme, pasi në qendër të mbrojtjes u vendosën dy mesfushorë si Fernandinjo dhe Rodri. Pep Guardiola vazhdon të ketë probleme në prapavijë, dhe zgjodhi të rrezikonte kështu, i bindur në drejtësinë e vendimit të tij. Ndeshja në fushën e Kristël Palasit e justifikoi plotësisht.
Pavarësisht se Fernandinjo e Rodri patën vështirësi në minutat e para, pasi përballë tyre ishin sulmues të fortë si Uilfred Zaha, Kristian Benteke dhe Zhordan Aje, mbrojtja e Sitit rezistoi dhe ndeshja u fitua. Autorë të golave ishin Gabriel Zhezus dhe David Silva, ky në sezonin e tij të fundit me “Qytetarët”. “Nuk ishte e lehtë me një mbrojtje të tillë, por unë kisha besim, – u shpreh Guardiola, – i falenderoj shumë Fernandinjon dhe Rodrin, pasi ia dolën shumë mirë përballë sulmuesve të zotë. E merituam fitoren pasi patëm edhe shumë raste të tjerë, por gjithsesi rëndësi ka që ia dolëm”. Nëse Kristël Palas do të kishte fituar, do ta kishte kaluar Sitin në renditje, por tashmë skuadra e Guardiolës e ngushtoi diferencën në 5 pikë me Liverpulin kryesues, edhe pse me një ndeshje më shumë.
Sfidanti.al