E bukur bluza Nr. 700 e Ronaldos, e bukur dhe penalltia e padhënë!

Fillimi në atë që quhet thjesht “Stadiumi” ishte i mrekullueshëm. Në fillim, një brohoritje e gjatë për trajnerin e Bolonjës, Sinisha Mihajloviç, që sërish sfidoi sëmundjen për të qenë pranë skuadrës. Më pas, një tjetër oshëtimë për fanelën e veçantë me numrin 700 dhuruar nga Juventusi për Kristiano Ronaldos, në nderim të 700 golave të tij në karrierë. Ky ishte pragu i duelit Juve-Bolonja.

Ronaldo u bë 701-sh, pasi realizoi përsëri, por fundi i takimit ishte i hidhur për bolonjezët, si dhe për ata që duan paanshmëri në futboll. Në rezultatin 2-1 për vendasit, De Ligt preku topin me dorë në zonë, dhe jo vetëm që gjyqtari nuk dha penallti, por as nuk hyri në lojë teknologjia. “Për çfarë duhet VAR-i? – ishte pyetja e njëjtë, këtë herë e bërë nga bolonjezi De Leo, – krahu i De Ligtit ishte i hapur”. Jemi sërish tek zhgënjimi që VAR-i ndihmon futbollin të jetë më i drejtë, por sërish teknologjia duhet të vihet në punë nga njeriu, dhe problemin deri më sot e kemi pasur me njeriun.

Sfidanti.al