Cilët lozin pas VAR-it? Pse “varexhinjtë” e kanë kapur me Skënderbeun..

Si po ju duket VAR-i , po e ndihmon futbollin apo punon me qoka dhe si t’ia shkrepi ? Nëse do të bënim një sondazh me klubet e Superligës dhe kjo pyetje të mbërrinte dhe tek Skënderbeu i Korçës, me siguri përgjigja do të na kujtonte atë batutën sfiduese: “Sa mirë ishim..kur ishim keq!” Nuk dihet se si, por Sistemi VAR dhe Skënderbeu kanë krijuar një amalgamë të padëshiruar, një “lidhje të zezë”, ku teknologjia në shumicën e rasteve është ndëshkuese për ekipin sa futbollistët e Skënderbeut. Edhe këtë javë, me rastin e ndeshjes Teuta-Skënderbeu, fryti i së cilës ishte një barazim 2 me 2, VAR-i nuk shpëtoi dot mallkimit korçar…

Ishte apo s’ishte penallti rasti i Elvi Berishës? Populli e jep, VAR-i dhe Enea Jorgji bashkojnë forcat për të demostruar një miopi kolektive. Një miopi që ndëshkohet në mënyrë publike nga portieri Bekim Rexhepi i cili poston një foto me rastin e 11 metërshit dhe e titullon me fshikullimë : Turp ! Po cili të ketë turp? “Varrexhinjtë” tek ekrani apo Jorgji me shokë, apo të tjerë, të padukshëm, që komandojnë “peshimin” e ngjarjeve.
Prit, prit, mos u nxitoni! Na thonë të mos tollovitemi se akoma nuk kemi parë gjë, ngaqë VAR-i shqiptar do të jetë unikal në misionin e tij , duke dëshmuar me prova pse i kanë vënë këtë emër që nuk është ndjellës i mirë. Pale nëse do të pyesnim trajnerin Memelli që ka përjetuar kulmin e spektaklit të VAR-it në një ndeshje para disa javesh, kur i thonin gjate lojës : Në këto momente nuk po punon VAR-i, pas pak…tani VAR-i po punon, dhe dy minuta më pas..u prish prapë!

Sfidanti.al