Paskan qënë të vërteta fjalët se futbollistët e Partizanit ishin lodhur me “leksionet” e trajnerit Ilir Daja. Madje përflitej se kur futbollistët i torturon me shumë teori dhe me mësime të zgjatura nëpër klasa, fillojnë e ngatërrojnë portat nga ..”helmimi”. Në vend të sulmojnë portën armike, i turren portës së vet. Duam apo s’duam, Partizani i Dajës kishte probleme me kokën, po se me cilën kokë …këtë do ta mësojmë rrugës.
Sapo ka vënë këmbën trajneri i ri Dritan Mehmeti, “demat” u lëshuan drejt portës së Egnatias, edhe pse me vonesë në pjesën e dytë, duke qëlluar tre herë por mund te ishte edhe më shumë. Një habi e madhe në mjedisin e Rrogozhinës, kur u ndërruan rolet midis palëve, shikoje vendasit që tkurreshin në lojë si miqtë dhe miqtë që dominonin sikur të ishin zotër në shtëpinë e tyre. Çfarë shiringe u kish bërë Mehmeti “demave”? Përse vallë donin ta luanin këtë ndeshje edhe përtej 90 minutave?
“Droga” paska qënë largimi i “vonshëm” i Dajës apo magjia qëndron në paktin e harmonisë që kanë vendosur futbollistët me trajnerin Mehmeti. Cilado qoftë, le të ndjekim “demat” se si do të kurdisen edhe në javët në vazhdim, me shpresën se këtë gjysmë kampionati, do të kenë punë vetëm me njërën portë..atë të kundërshtarit!
Sfidanti.al