Cila është më e frikshme : Pandemia apo babëzia që përpin 4.3 milionë euro?

 Kur flitet për para,  për shuma të majme që mbërrijnë nga UEFA, futbolli zyrtar bëhet kaq driblues, kaq i pakapshëm në ndershmëri, sa edhe vetë dekani i driblimit Leo Mesi.. do të turpërohej para tyre. Dhe një nga fintet më spektakolare gjatë kohës së Pandemisë, ka të bëjë jo me luftën kundër virusit, por me  lojën e madhe dhe hileqare që bëhet në emër të milionave. Me siguri e mbani mend ditën kur futbolli në emër të klubeve të Superligës, madje  edhe të klubeve “lilipute” në kategoritë inferiore, bile edhe të fëmijëve,   i kërkoi shtetit ndihmë financiare për të kapërcyer krizën fatale të momentit. Ato ditë , të gjitha klubet u zemëruan, madje shumë “vullnetarë” rebeluan kundër shtetit,  që u tregua antisportiv, sidomos kur dëgjuan zotin Rama që ta krahasonte futbollin me fasonët,  si një biznes që driblon me pagat, për të bërë “gol” tek porta e taksave.

Dhe më e bukura është se,  edhe kur zbresin si kundërshtarë në fushë, shteti i politikës dhe “shteti i futbollit”, jo të kapur prej dore si tërë këto vite, prapëseprapë, na duket si një ndeshje e trukuar. Si në një ndeshje ku  mallkohet fituesi prepotent dhe lëvdohet humbësi, që tregoi vetëm përulësi. Dhe në këtë rast, të gjithë ishin me futbollin, pra me FSHF-në, logjikisht me shefin e saj,  që edhe pse na gënjen për gjënë më të vogël, prapë nuk krahasohet me politikën. Dhe kur nuk do politika, si për fat, futbolli ka zotin e tij,  i cili shfaqet mu në mes të krizës.

Dhe kjo perëndi është UEFA që do të japë 4.3 milion euro për futbollin tonë,  një shifër e majme, tejet mikluese, nga ato që nuk të lënë të vdesësh për “bukën e gojës”. Por,sapo filloi festa nëpër klube, filluan dollitë  për bamirësinë e UEFA-s, është “shteti i FSHF-së” që i thotë popullit të vet se këto para nuk janë për të mbajtur shpirtin gjallë klubet, por janë për investime! Me një fjalë : janë “ushqim” jo për barkun e familjes , por për stadiumin e Kukësit 3.2 milion euro, ndërsa me kusurin do të vazhdojë cikli i betonit tek zyrat si  “stadium” të  FSHF-së. Rrofshin stadiumet! Ky është futbolli që luajmë me milionat, një lojë që si pandemi ka babëzinë, meqë popullit i thuhet  se shteti është i pabesë kur i kthen shpinën futbollit, ndërsa kur vetë shteti i futbollit avullon  4.3 milionë euro , mu para syve, më shumtëve u duket si një magji dhe jo si një zhvatje e paskrupullt..

G.Sinemati

Botuar ne Panorama Sport