Seria A e lë fatin e saj në dorë të qeverisë, të drejtat TV “në ajër”!

Presidenti i shoqatës së klubeve të elitës, Dal Pino, i vuri pikat mbi “i”. Numri 1 i Serisë A, u shpreh qartë se nuk mund të ketë rifillim të kampionatit nëse qeveria do të konsiderojë që nuk mund të garantohen kushtet e sigurisë për shkak të koronavirusit. “Do të jetë qeveria që do të tregojë rrugën, – tha ai, – dëshira jonë është që kampionati të luhet, nëse do të ketë siguri, sezoni do të rifillojë, ndryshe institucionet e vendit do të vendosin mbylljen e sezonit dhe klubeve nuk i mbetet tjetër përveçse të përshtaten”.

Problem i madh janë paratë, pasi klubet kanë qindra të punësuar, plus kanë rroga të larta për lojtarët dhe stafin teknik. “Televizionet kanë kohë edhe disa ditë për të dhënë paratë e këstit të fundit që u detyrohen klubeve, – thotë Dal Pino, duke iu referuar “Skajit”, “DAZN”-it dhe “IMG”-së, – vetëm kur të vendoset për fatin e sezonit, mund të flitet për paratë. Më pas, klubet mund të shkojnë në gjyq, ose të bëjnë atë që sugjerojmë ne, të arrijnë një marrëveshje”.

Sfidanti.al