Premier Liga, qindra milionë humbje në sezonin 2020-2021!

Nuk është vetëm ky sezon që mund të shkojë kot, madje ndoshta edhe nuk do të luhet fare. Problem i madh në Angli është edicioni i ardhshëm, pasi epidemia e koronavirusit do të vazhdojë të kërcënojë derisa të gjendet vaksina dhe antibiotikët e duhur për ta luftuar me siguri, ashtu si viruset e tjerë të njohur më parë. Klubet e Premier Ligës, në mbledhjen e djeshme, kanë diskutuar mundësinë që gjithë viti sportiv 2020-2021 të luhet pa spektatorë!

Kjo, sipas mediave britanike, mund të sjellë humbje të mëdha, dhe vetëm klube si Mançester Junajtidi apo Arsenali të humbasin mbi 100 milionë paundë stërlina secili. Kjo sepse të ardhurat nga biletat në një sezon janë 110 milionë paundë për Junajtidin dhe 100 milionë për Arsenalin. Edhe klubet e tjera do të kishin humbje të mëdha, dhe në total mund të arrinte në gati 1 miliardë paundë stërlina, por nëse shëndeti i njerëzve do të vazhdojë të jetë i rrezikuar, kjo duket e pashmangshme.

Sfidanti.al