Çfarë ere mban fanella e Dinamos? Këtë pyetje ia kishte bërë një futbollisti të ri të Dinamos, trajneri “baba” i bluve , Skënder Jareci. Futbollisti i kishte marrë erë fanellës dhe i habitur kishte thënë :
“ Siç mbajnë tërë fanellat profesor..” Jareci ia kishte marrë fanellën dhe e kishte provuar vetë:
“Çdo fanellë ka erën e vet! Kjo e Dinamos ka një aromë të krijuar nga talenti dhe sakrifica e shumë brezave që nuk e qëlluan topin, por e perkëdhelën atë! Nëse do t’i kishe hundët më të stërvitura.. do të nuhatje erën e Pernaskës, Ballgjinit dhe Zërit…”
Përse vlen kjo histori e pazakontë, pikërshit këto ditë? Sepse Dinamo e madhe në histori, por e “vogël” në Kategori, një më poshtë se lavdia e dikurshme, më në fund ka gjetur “gjakun blu” për t’i besuar stolin. Pasi është larguar trajneri Nevil Dede, presidenti Bardhi ka emëruar dyshen e shtëpisë, Dritan Mehmeti dhe Luan Pinari. Të dy dinamovitë, të dy që po të ishte gjallë profesor Jareci, do të dinin t’i përgjigjeshin pyetjes enigamtike se çfarë ere mban fanella e Dinamos…
Sfidanti.al