Sikur besimi të ishte kulla më e lartë mbi të cilën të mbështetej Superliga, atëherë, kjo javë që përjetuam do të meritonte pagëzimin e madh “java apokaliptike”. Kampionët e Kukësit ranë në gjunjë para Lushnjes, mu në fushën e tyre, duke dhënë një shfaqje të deshtuar nga ana sportive, por tepër të dyshimtë nga ana morale. Skënderbeu, ekipi që u vesh me të zeza për humbjen në minutën e fundit me Zviceranët e Jong Boisit, në ndeshjen e fundit në Europa Ligë, ka shijuar humbjen pa lavdi në Laç, gati për të përsëritur anektodën se kur luajnë me këtë ekip , nuk ka Zot që e di se çfarë ndodh deri në fund të ndeshjes. Nuk ishte e pakët nga “bumi” dhe ajo që ndodhi në fushën e Kamzës, edhe pse një zë kristalor si ai i sulmuesit, Abazaj kishte paralajmëruar publikisht nga ekrani se futbollistët çudibërës të Kamzës, këtë herë, do të provonin se futbolli ka edhe shije të tjera përveç fitores dhe barazimeve. Kurse ajo që ndodhi me Partizanin, që gjeti çelsin kopil, tamam në çastin e fundit, për të hapur portën e Teutës, vërteton se edhe fati kishte veshur uniformën e demit…
Janë shumë të bukura për t’u besuar ato që kanë ndodhur, sidomos kur “prindërit e garës” na këshillojnë se ushqimi me top, ai që pagëzohet produkti, është kaq natyror dhe “spontan” , sa stomaku ynë mezi e pret për ta asimiluar. Kur u mund Kukësi me tre shuplaka nga Lushja e vendit të fundit, vetëm trajneri Milinkovic nuk dyshonte, nga ato që ndodhën në fushë, edhe pse kulmi i shfaqjes arriti tek duart e “shkurtra” të Koliqit te goli i dytë dhe tek “paraliza” që bllokoi mbrojtësit tek skena e golit të tretë. Më e bukura me Luftëtarin, ekipin që nuk e gjen asnjeherë të keqen tek pazotësia e dukshme për të shënuar gola, por, fill pas ndeshjes, tregon me gisht nga “muzikanti” Laver Alla, i cili i prishi vallen e golave me dy penallti të padhëna. Edhe kur fitojmë, kemi dëshirë të flasim si humbës. E patë fytyrën e trajnerit Starova pas ndeshjes? Dukej sikur e kishte humbur ndeshjen në minutën e fundit, madje nuk po gjente as kartën e identitetit, e cila duhej për të hyrë e për të dalë nga kjo ndeshje, ku goli i policisë u bë pa filluar ndeshja, kurse goli i pikëve ..në skajin fundor .
Sfidanti.al