“Mjekra” ishte personalitet i madh edhe edicionin e kaluar. Xhejms Harden luftoi deri në fund për të qenë lojtari më i mirë i sezonit, dhe u mund për fare pak nga Rasëll Uestbruk, por këtë herë duket se nuk do të ketë rival. Gjithsesi, për yllin e Hjustonit, gjëja më e rëndësishme është që ka në krah një shok skuadre për kampion, pra një përforcim që mund ta bëjë ekipin e tij më të mirin në NBA në fund të plej ofit verën e ardhshme. Ky shok quhet Kris Pol, i ardhur pas një transferimi brilant nga Los Anxhelos Klipersat, dhe i rikthyer nga dëmtimi.
Harden shënoi 48 pikë dhe shkëlqeu si askush tjetër në fitoren e vështirë dhe domethënëse në fushën e Portlendit, me shifrat 124-117, dhe Hjustoni kryeson Konferencën Perëndimore dhe gjithë NBA-në me 20 fitore e vetëm 4 humbje. As Boston Sëlltiks dhe as Golden Stejt Uorriors, për momentin, nuk janë kaq mirë. Harden kapi edhe 8 topa në tabela, shërbeu 3 asistë dhe vodhi 3 topa ndaj kundërshtarëve, por Kris Pol nuk mbeti shumë pas.
Ai shënoi 26 pikë në 34 minuta lojë, kapi 3 topa në tabela, shërbeu 7 asistë dhe vodhi dy topa, me një nivel vërtet tepër të lartë. Harden, ndërkaq, mbetet shënuesi më i mirë i sezonit në NBA, me 775 pikë, edhe pse Lebron Xhejms është shumë pranë me 764. Gjithsesi, në NBA shënuesi llogaritet me mesatare, jo me shifër totale, dhe në këtë klasifikim Harden nuk ka të dytë. Ai kryeson me 32.3 pikë për ndeshje ndaj 28.3 që ka Lebroni në vendin e tretë. Harden ka edhe 9.2 asistë për ndeshje, ndaj 8.7 të Xhejmsit (kryeson Uestbruk), ndërsa mbetet prapa Lebronit vetëm në topat në tabela.
Sfidanti.al