Kur përplasen dy vezë njëra do të thyhet, thotë populli, por nuk dihet nëse u thye ajo më e dobëta. Ishte Belgjika që u kualifikua për në çerekfinalet e Kampionatit Europian pas një beteje të madhe në Sevilje me Portugalinë e Kristiano Ronaldos, e cila duhet quajtur me plot gojën e pafat. Fituesi ndoshta nuk gjykohet dhe belgët ia dolën me shifrat minimale 1-0, por nëse shikon gjithë ndeshjen, portugezët bënë më shumë, por thjesht nuk qenë aq të saktë sa të shënonin golin. Çështje centimetrash, por suksesi matet pikërisht kështu.
“Furitë e kuqe”, që do të ndeshen me Italinë në çerekfinale, e arritën fitoren falë golit të shkëlqyer të Torgan Hazarit në minutën e 42-të. Gjithsesi, për ekipin e trajnerit Roberto Martinez kjo ishte gjuajtja e vetme në kuadrat, ndërsa gjithsej provuan 6 herë. Në të kundërt Kristiano Ronaldo me shokë patën 23 gjuajtje gjithsej, nga të cilat 4 në kuadratin e portës së Tibo Kurtuasë. “Luzitanët” goditën edhe shtyllën, por rrjetën nuk arritën ta tundnin.
Pritej një ndeshje spektakolare dhe nuk ishte aspak e keqe, veçse Belgjika zhgënjeu duke mos treguar lojën e rrjedhshme në grup. Padyshim nuk e la Portugalia, ndërsa belgët u druajtën shumë nga klasi dhe përvoja e kampionëve të Europës në fuqi. Kampionët tashmë u larguan pa arritur në çerekfinale, ndërsa belgët vazhdojnë rrugën, veçse me Kevin De Brujnin e dëmtuar nuk dihet sesa të fortë do të jenë. Shpresa është që ylli i Mançester Sitit të jetë gati për Italinë në çerekfinale.
Sfidanti.al