Babagjysh i Vitit të Ri, na e gëzo  “Babuçin” me  një fushë..900 mijë euro!

“Babuçi i futbollit”, presidenti Duka,  pret nga  Babagjyshi i Vitit të Ri një  dhuratë me ngjyrën e pemës së Vitit të Ri : një fushë të re për “Air Albanian”, që kushton  vetëm 900  mijë euro..të vogla ! Nëse nuk besoni që vetëm fusha mund të bëjë gati 1 milion euro, atëherë le ridëgjojmë fjalët  “prekëse” të  presidentit Duka  në një nga intervistat e lojës së tij  groteske,  që tashmë  nuk i lutet më qeveritarëve të tij në atdhe, por vëllezërve që ka gjetur në UEFA :

“ Investimi është shumë i madh,qoftë sistemi i ndriçimit, sistemi i ventilimit apo edhe bari hibrid.  Diku 800 apo 900 mijë euro!  Ndihmë nga Qeveria?  Jo nga ata nuk kemi shpresë , por kemi bërë përpjekje me UEFA-n..” Çfarë mallkimi ka ndodhur me fushën,  me të vetmin aset që ka  FSHF-ja  , në një stadium që u reklamua si ndër më të bukurit në Ballkan! Thonë se mallkimi vjen nga  thellësia e fushës,  nga tabani i “Qemal Stafës” ,  nga ajo tokë që prekin futbollistët gjatë ndeshjeve,  kur këmba u zhytet në gropat  e  qorrsokakut, në atë fushë  që  ka merituar  emrin  nga futbollistët..lëndina e lotëve!

Do të mbetet e paharruar një  intervistë e pashpirt, e pa ndershme në thelb, kur në mesin e fushës së “Qemal Stafës, tamam para prishjes së stadiumit, ulur ne disa stola,   vetë presidenti Duka bashkë me ithtarët e tij, kapitenin  Canaj dhe me gazetarë të  “ oborrit”..  thanë gati me një gojë se …po shpëtonin më në fund nga ky stadium i rënuar! As nuk dënjuan të nderonin historinë e tij, brezat e futbollistëve dhe të tifozëve që bënë historinë, ngaqë  nxitonin për të bërë  një stadium të shtrenjtë që do te gllaberonte milionat e eurove( 60 apo 70 apo …) me një fushë të lirë dhe te cofur qysh ne lindje , e cila po të kishte gojë do të ngjitej në majë të kullës dhe do të thërriste me të madhe për..ndihmë!

Sfidanti.al