Barcelonës se Leo Mesit nuk i mjaftoi “apokalipsi“ që ndodhi në ndeshjen me Bajernin, po sikur ta merrte vesh, një mesazh nga Shqipëria do t’a poshtëronte më shumë se 8 golat e pashpirt të bavarezëve.
“ Hahaha! U alarmua UEFA se u mund Skënderbeu me Sportingun 5-1 dhe ne me 10 lojtarë. Po kjo e sotmja si do të quhet?” Ky është postimi i presidentit të Skënderbeut, Ardian Takaj, fill pas ndeshjes që prishi gravitetin e shijeve në mbarë botën. Ekipi më mrekullues në lojën me topin, që i ka dhënë kuptim spektakolar stilit të lojës në këtë dekadë, Barcelona që e rrotullonte globin e futbollit siç donte ajo , ka marrë ( apo s’e ka marrë akoma) një mesazh, gati sakrilegj, nga presidenti i një ekipi që është future në “Alkatrazin” e futbollit me një dënim maratonë…
Në tokën ku mbillet me sukses fara e dyshimit, humbja stërmadhe e Barcelonës mund të përqeshet me ironi, ngaqë 8 gola në shqip nuk përkthehen dot ndryshe, sidomos kur reshtohen si varg rosash. Bëhet akoma më “botëror” mesazhi nga Shqipëria, kur vetëm dy ditë më parë, presidenti Takaj, në një intervistë kishte shprehur zhgënjimin , jo me Barcelonën këtë herë, por me të mëdhenjtë e gjykatave, kur shprehu pendesen : “ Bëmë gabim që u ngjitëm deri lart në Gjykatën Federale. Po të njëjtët njerëz janë. Jemi vend i vogël dhe s’ ka kush na mbron…” Po sa vend i vogël jemi? Kur dënohemi nga UEFA jemi shumë të vegjël, gati si liliputë, kur presidenti ynë zgjidhet në Komitetin Ekzekutiv të UEFA-s, jemi më të mëdhenj edhe se vetë ..Rusia!
Sfidanti.al