“Air Albania” Shtëpia e futbollit? Kuvendi, Kongresi dhe..finalja e Konferencës

Ngjarjet më të mëdha që kanë ndodhur në stadiumin “Air Albania”, nuk kanë lidhje gjithnjë me ..topin! Si për të treguar “grupin e gjakut” me ish-stadiumin “Qemal Stafa, kur në vitin e çmendur 97-të, stadiumi u shndërrua në një pistë për helikopterët, ky “Air Albania” ka dhënë prova pikante se më parë se të jetë “shtëpia e futbollit”, është më së miri “tempulli i politikës”.

Në fillim e shpallën spitalin ambulant dhe emergjent të Pandemisë, më pas u preferua si skena e Kuvendit të Rithemelimit të PD-së ,dhe kapakun ia vuri Partia në pushtet, kur zbriti në “fushë” për të luajtur Kongresin e saj. ..

Metamorfoza përshtatjes së stadiumit, sidomos këto ditë në prag të finales së Tiranës, bëhet akoma më mbresëlënëse kur ngjarjet i vendos pranë e pranë: Kuvendi i PD-së, Kongresi i PS-së dhe kjo Konferenca ….e Ligës, finalja Roma-Fejnord, që do të luhet më 25 maj! Kjo e fundit edhe pse i përket futbollit, të “driblon” me emrin sikur i takon botës tjeter dhe jo topit! Dhe ku të mos besosh pastaj , etërit e mëdhenj të stadiumit , kur na “vaksinojnë” sipas oreksit se stadiumi ynë është ndër më të bukurit në Europë ose, me pak modesti, një xhevair midis stadiumeve të Ballkanit…

Sfidanti.al