Kristiano Ronaldo shkaktoi shqetësim kur nuk u aktivizua në ndeshjen e Kupës së Mbretit ndaj Seviljes. Jo se Reali pati ndonjë problem (edhe aq sa ishin, i zgjidhi gjyqtari), por gjithnjë është lajm kur nuk luan njëri nga lojtarët më të mirë të botës. Gjithsesi, në stërvitjen e fundit, CR7 ishte sërish në vendin e tij dhe në formën e duhur, gati për të dalë në fushë në ndeshjen e së dielës në kampionat ndaj Granadës.
Zinedin Zidan spjegoi se tifozët nuk duhet të shqetësohen, edhe kur Ronaldo mungon në ndonjë takim, ndërsa trajneri tha se në moshën 32-vjeçare është e pamundur që portugezi të luajë vazhdimisht. “Ne kemi folur për këtë dhe Ronaldo më ka kuptuar pasi është shumë inteligjent, – ishin fjalët e trajnerit, – unë dua që ai të jetë në formën maksimale kur të vijë fundi i sezonit. Kur ke 20 ndeshje në 70 ditë, je i detyruar të bësh ndonjë pushim”.
Ronaldo dhe Zidan ishin ndër të paktët që veshën një shall të zi në formë golfi, për të mbrojtur qafën nga i ftohti, ndërsa madrilenët u stërvitën në kompleksin e tyre në temperatura pranë zeros. Ndeshja e radhës është në “Bernabeu” ndaj ekipit të vendit të 19-të në renditje, me Realin që kryeson kampionatin me 3 pikë më shumë sesa Barcelona, dhe me një ndeshje më pak të zhvilluar.
Sfidanti.al