Vetëm milionat mund ta “zbresin” nga avioni Gjergj Muzakën

E quajtën tradhëtar, bile i përplasën në fytyrë edhe një parrullë fyese, ne shkallet e stadiumit, kur Klodian Duro deklaroi publikisht se klubi i Tiranës i kishte disa miliona borxh.  U përdorën tifozët për të shlyer një borxh të vjetër dhe askush nga drejtuesit e klubit nuk doli në skenë, të paktën për të fashuar plagën që pikon edhe sot. Bardheblutë, klubi që dikur krenohej edhe me pushtetin ekonomik,  po humbet shkëlqimin moral për shkak të historisë së njohur me borxhet e futbollistëve. Dhe  viktima e freskët është Gjergji Muzaka, të cilin e kanë zbritur edhe nga avioni që do të çonte ekipin për në Antalia, në Turqi, sepse pati kurajon të rebelonte për milionat që i detyrohet presidenti Halili. Thuhet se janë 14 rroga, që me gjuhën e shifrave mund të përkthehen afro 70 milionë. Muzaka, ndryshe nga futbollistët e tjerë që po tregojnë një durim spartan, paska thënë se klubi që premton edhe titullin kampion para tifozëve,  kundërshtarin më të madh ka situatën financiare.

Dikur, Tirana të lëshonte thesin me para për të patur shërbimin e Gjergj Muzakës, ndërsa në ditët e sotme, në lojën e milionave që lëvizin në letra,  mesfushori elegant ka marrë një shuplakë të dytë, kësaj radhe morale, kur nuk figuron as në listën e Antalias. Një përjashtim  luksi për badheblutë, pale kur kujton edhe mefushorin tjetër Vucaj,  futbollistin e talentuar që tek Tirana ia hoqën si me magji  vizionin për lojën. Sikur trajneri Josa të prishte rregullin e qetësisë dhe të fliste për divorcin fatal me Muzakën dhe Vucaj,  me siguri, do të kuptonim më mirë se nuk shkojnë dot paralel vlera e lojës sonë me milionat që vazhdojmë t’u  premtojmë futbollistëve.

 

Sfidanti.al