Në të vërtetë, transferimi i tij ndodhi për shumë më pak, vetëm 11 milionë euro, e sidoqoftë një shumë dy milionë më e lartë sesa vlerësimi që i bëhet tani në tregun e futbollit. Milot Rashica u prezantua më në fund tek Noruiç Siti i Premier Ligës angleze, disa javë pasi u lajmërua lëvizja nga Verderi i Bremenit për në ishull. “Mezi pres që të filloj sezonin me shokët e mi të ri, – tha shqiptari i Kosovës, që ishte vërtet i lumtur, ndërsa dha intervistën e parë për televizionin e klubit, – jam përshtatur mirë këtu bashkë me familjen time. Kam nisur stërvitjen dhe po presim nisjen e kampionatit”. Rashica beson se stili i lojës së Noruiçit i përshtatet atij pasi është sulmues dhe me zotërim topi. “Bëra një hap të madh kur kalova nga Holanda në Bundesligë dhe m’u desh pak kohë të përshtatesha, por pastaj isha mirë, – vazhdoi ai, – mendoj se jam gati për sfidën e radhës. Përballja me Liverpulin në javën e parë të kampionatit është e vështirë, por shpresoj të jemi gati”.
Sfidanti.al