Yjet e ngopur të Paris SG, nga humbja me Nantën tek dominimi i Lilës në Kupë

Njeriu habitet shumë me oshilacionet e kësaj skuadre. Pas vetëm një sezoni vërtet mjaft të mirë me arritjen e finales së Championsit për herë të parë në histori, Paris SG po ndihet si një njeri i ngopur që nis e zgjedh gjellët që i pëlqejnë, ndërsa “shtyn” me neveri “pjatat” e tjera. Kampionia e Francës reagoi vetëm pak ditë pas humbjes shqetësuese në ligë ndaj Nantës duke u kualifikuar për në çerekfinale të Kupës franceze, duke mundur thellësisht 3-0 kryesuesen e kampionatit, Lilën. Nga një “ngopje” me ndeshjet e mërzitshme të ligës, që e dominon prej vitesh, në një motivim të skajshëm në një ndeshje-teke ku luhej me eleminim direkt, pra ku kishte emocione.

Nuk është aspak normale kjo sjellje prej yjesh të rëndësishëm (e disa më pak), por që nuk është se kanë fituar ndonjë gjë të madhe në jetë. Imagjinoni sikur të jenë si Mesi, Ronaldo apo Ibra! Mbape shënoi golin e dytë fare lehtë, me penallti në 41’ dhe pastaj plotësoi mbrëmjen e tij me rrjetën e minutës së tretë shtesë. Më herët, Mauro Ikardi kishte kaluar parizienët në epërsi në 9’, ndërsa më pas portieri Kejlor Navas nuk kishte lejuar prekjen e rrjetës duke pritur penallti kur rezultati ishte 2-0. Mbape ka në total 116 gola në 157 ndeshje për PSG-në një nivel i shkëlqyer për moshën e tij 21-vjeçare, por gjithsesi është lart shifrave të sezonit 2018-2019 menjëherë pasi fitoi Kupën e Botës me Francën. Atëherë shënoi 39 gola në 43 ndeshje gjithsej dhe 33 gola në 29 ndeshje në kampionat, ndërsa tani ka 26 gola në 33 ndeshje dhe 18 gola në 23 ndeshje në kampionat.

Sfidanti.al