Vrasje me “snajper” kjo me VAR tek goli i dytë i Vllaznisë!

Çfarë nuk dëgjon për shkaqet e humbjes së Vllaznisë me Tiranën në Shkodër. Dikush thotë se fajin e ka trajneri Brdariç, që përsëritet skenari me Tiranën, ku Vllaznia nuk bashkon dot lojën me golat, apo që siç e luan një pjesë të “muzikës”, nuk e luan tjetrën. Një tjetër, po themi presidenti Xhaferi, beson se shkak i humbjes nuk janë rrogat e vonuara, as “dezertimi” i ekipit në pjesën e dytë, por diçka tjetër që ai vetë do ta gjejë kur të mbarojë kampionati..

Ka të tjerë që thonë me shpoti se një pjesë e trurit të ekipit, Latifi , mirë që hyn dhe del nga loja sipas humorit, por ç‘ka me topin kur gjuan penalltinë. Vetëm për një gjë të “vogël” nuk flitet, siç duket Vllazninë e mësuan ta rrahin dhe nuk e lënë të qajë..s’ka dyshime fare për golin e dytë të anulluar me VAR. Një gol që u qëllua me snajper, për punë milimetrash , siç na thanë “patronazhistët e komentit”, por që nga ekrani nuk shquhej me sy populli, sepse jemi mësuar me sy ..ciklopi!

Pyetja që nuk bëhet në Shkodër: a ishin çunat e VAR-it që e kullufitën golin e dytë të Vllaznisë apo ata grykësit që i bëjnë “varrin” ..VAR-it. Nuk është herë e parë apo e dytë, që kur dikujt i del nga dora rezultati, ia shkrep snajperit me anë të VAR-it. Dhe ata na paskan pamje të tjera, (atje fshihet e varëteta lakuriqe) janë pamje më intime se ato që i shërbejnë popullit të ekranit. Në fakt varistët janë disa piktorë të këqinj , që na verbojnë sytë me një vizë të trashë dhe shtrëmbaluqe, që gjoja na qënka vija e demarkacionit…

Sfidanti.al