Vllaznia përballë Juventusit në Championsin e femrave, nëse ia del shkon në grupe!

Një short prestigjioz për një ekip që e meriton. Ekipi i vajzave të Vllaznisë së Shkodrës do të ndeshet me Juventusin italian në raundin e dytë të Ligës së Kampionëve, pasi emrat u tërhoqën nga vazot në shortin e hedhur nga UEFA në Nion të Zvicrës. Ndeshjet do të luhen në datat 31 gusht-1 shtator dhe 8-9 shtator, me sfidën e parë në Torino, dhe atë të kthimit në stadiumin “Loro Boriçi” të Shkodrës. Kampiona e Shqipërisë ishte skuadra më e mirë mes ekipeve të vazos së dytë, pra të ekipeve që nuk ishin të favorizuara në short, duke lënë pas kampionet e Norvegjisë, Ukrainës, Zvicrës, Danimarkës, Kroacisë dhe Benfikën e Portugalisë.

Ato kaluan me sukses raundin e parë duke eleminuar kampionen e Hungarisë, Ferencvaroshin e Budapestit, pas ndeshjes së luajtur në Sosnoviec të Polonisë, duke kaluar turin me gjuajtjet e 11-metërshave. Nëse realizojnë një mrekulli, pra fitojnë sërish, shkodranet do të kalojnë në fazën e grupeve në Champions. Juventusi është një rival shumë i fortë, kampion i Italisë me 22 fitore në 22 ndeshje gjithsej, me 75 gola të shënuar e pësuar vetëm 10, si dhe duke lënë Milanin 15 pikë prapa. Vajzat shkodrane janë në një edicion të Ligës së Kampionëve ku spikat shorti mes Realit të Madridit e Mançester Sitit, por edhe Volfsburg-Bordo e Levante-Lion.

Sfidanti.al