I kanë parë në stërvitje, tani duan t’i shijojnë në fushë. Tifozët e Juventusit mezi po presin që skuadra e tyre të zbresë në fushën e lojës sot në 18:30, për të nisur Serinë A në stadiumin e Udinezes. Dita e shënuar erdhi, dhe ka lajme të mira. Trajneri i rikthyer Masimiliano Alegri jep shpresë, Ronaldo nuk është larguar, Kielini ka rinovuar, ndërsa në në sulm pritet spektakël me portugezin, Dibalën, Kiezën, Kulushevskin e Moratën. Alegri ka rikthyer qetësinë, ndërsa gjithkush e di se pas suksesit të Interit duhet vetëm fitorja.
“Kjo është ndeshja jonë e parë për kampionatin, – tha trajneri , – dhe gjithmonë kam thënë se fillimi është gjëja më e vështirë. Udineze është një ekip shumë i fortë në mbrojtje, vjet ishte nga skuadrat që pësoi më pak gola. Na duhet fitorja dhe për këtë duhet të jemi në maksimum. Ronaldo është i gatshëm dhe do të luajë, ai na garanton shumë gola dhe nuk më ka thënë se do të largohet. Sa për Lokatelin, ai ende nuk është në 100 për qind”.
E përditshmja “Tutosport” e Torinos thekson faktin se CR7 do të qendrojë tek “Zonja e Vjetër”, duke i bërë jehonë fjalëve të Alegrit. Juventusi pritet të luajë në sulm me Ronaldon, Dibalën e Kiezën, ndërsa Morata do të jetë në stol. Pikërisht Dibala besohet se do të ketë rol të rëndësishëm në skemat e Alegrit, e rinovimi me gjasë është çështje ditësh. Sezonin e kaluar u humb titulli, fituar nga Interi, dhe kërkohet menjëherë rikthimi në majë. Juventusi cilësohet favorit për Serinë A, ndonëse nuk dihet sesa kohë do t’i duhen Alegrit për t’i dhënë ekipit lojën që mendon dhe sesa i fortë do të jetë në raport me Interin, Milanin, Lacion apo Romën.
Sfidanti.al