Vlerësimi i Di Kanios: Inzagi i zoti, por pa aftësinë udhëheqëse të Kontes!

Ja që në futboll nuk qenka gjithçka aftësia teknike. Historia njeh shumë njerëz të përgatitur, po flasim për trajnerët, por që nuk kanë arritur të përballojnë presionin e shumëllojshëm. Një shembull është Vijash Boash, i cilësuar si “Murinjo i Ri”, por që nuk u bë dot si “I Veçanti”, ndërsa një rrezik të tillë mund ta ketë edhe Simone Inzagi. Pas disa sukseseve me Lacion, vëllai i SuperPipos po ndjen trysninë tek Interi, një ekip ku duhet gjithnjë duhet fituar. Ish-ylli i Lacios, Paolo Di Kanio, jep një gjykim për të, ndërsa flet për “Skaj Sportsin”. “Inzagi është shumë i zoti taktikisht, – thotë Di Kanio, – i mungon aftësia për të qenë lider, siç ishte Konte. Interin e shoh të rraskapitur, të frikësuar. Natyrisht, nëse fiton me Bolonjën gjithçka mund të ndodhë, por mesa kam parë Milanin e Napolin, nuk mendoj se Interi do t’ia dalë. Në derbin me Milanin, kur mund të shkosh në +7 me një ndeshje në dispozicion, unë nuk do të largoja nga fusha Çalhanoglunë dhe Perishiçin. Le të ishin të dëmtuar. Ndeshja duhej fituar dhe këtë duhej ta kishte bërë Inzagi si trajner”.

Sfidanti.al